“Golden Armor” – Mburoja e Artë e Kurajës dhe Dashurisë në Poezinë e Armenida Qyqes
Armenida Qyqja, shkrimtarja jonë shqiptaro-kanadeze, dhe vëllimi i saj poetik në gjuhën angleze Golden Armor (Mburoja e Artë) – metaforë e kurajës “me dashuri”, siç shprehet Poetja Laureate e Nassau County, U.S.A., Paula Curci – vazhdojnë të marrin një vëmendje të admirueshme nga kritikë dhe shkrimtarë në Amerikë dhe Kanada. Sipas Curcit, ky libër përshkon udhët e Rumit, duke u shndërruar në një udhëtim shpirtëror të thellë dhe njerëzor.
Vetëm para pak ditësh, Canadian Poetry Magazine i dedikoi një hapësirë të veçantë në numrin e janarit analizës nga poetja kanadeze Kathleen Skene, e cila e cilëson zërin e Armenida Qyqes si “një zë unik” dhe librin si “një histori dashurie intime nga fillimi në fund, një metaforë e manipuluar shkëlqyeshëm, me fokusim preciz lazer mbi qenien e vetmuar, mallin, dashurinë, humbjen dhe mbi mënyrën se si mësojmë të jetojmë përsëri në një botë që po shkon drejt fragmentimit të saj”.
Vepra vlerësohet gjerësisht për larmishmërinë e temave dhe shqetësimeve që pasqyron, ku duket se gjejnë zërin e tyre lexues nga kombësi të ndryshme – nga trojet shqiptare, Ukraina, Palestina, Irani, Siria e më gjerë – si dhe për qasjen e autores me ndjeshmëri dhe brishtësi të rrallë.
“Ky nuk është thjesht një vëllim që kritikon. Çfarë të godet vazhdimisht në këto poezi është zëri i thellë njerëzor – vulnerabël, i dëshiruar, i lënduar dhe, megjithatë, i aftë për të dhuruar ngrohtësi,” shprehet Kashiana Singh, redaktorja kryesore e Poets Reading dhe presidente e North Carolina Poetry Society.
Nga ana e saj, Dr. Inga Zhghenti, Fulbright Scholar, përkthyese dhe akademike e letërsisë, e cilëson zërin e Armenida Qyqes si “zërin e një autoreje që nuk gjunjëzohet nga sprovat e jetës, por qëndron përballë tyre, me dëshirën për të dëgjuar zërin e dashurisë dhe mbijetesës – ashtu si mbreti Sizif në mitologjinë greke, i cili i qëndroi fatit me përpjekjet e tij të pashtershme dhe të admirueshme në shekuj”.
Pothuajse të njëjtin mendim ndan, nga ana tjetër e Paqësorit, Dr. Prof. Ma Yongbo, përfaqësues i poezisë avangarde kineze dhe akademik i shquar i poezisë anglo-amerikane. Ai shprehet se “poezia e Armenida Qyqes është e mbushur me një urgjencë të dhimbshme dhe një rezistencë të qetë; ajo shkëlqen në ngjeshjen e reflektimit ekzistencial në ritme intensive, duke ndërthurur emocionin me hulumtimin psikologjik, ndërsa përshkon trauma personale dhe beteja kolektive – si Sizifi, në kërkim të kuptimit në një botë kaosi”.
Robin Davidson, Poete Laureate e Houston, ndan gjithashtu vlerësimin e saj për librin: “Në Mburojën e Artë të Armenida Qyqes gjejmë poezi lirike të dëbimit, të ndërthurura me ato të luftës dhe dëshmisë – poezi dashurie kushtuar të dashurit, një kombi të humbur dhe shpirtit të rrëfimtarit, të gjitha si rrjedhojë e ‘urisë së pangopur të heshtjes’. Kjo përmbledhje, e shkruar fillimisht në gjuhën shqipe dhe e përkthyer nga vetë poetja në anglisht, është lufta e një gruaje pa armë, me trup të zhveshur përballë dëshpërimit dhe vuajtjes së refugjatit, në bashkëbisedim me një shpresë të pathyeshme. Poezitë nuk i ofrojnë lexuesit pafuqishmëri, por kapërcim përtej fizikes, drejt shpirtit njerëzor.”
Autori i librit Home Truths and Body and Soul, Ryan Guth, jep gjithashtu vlerësimin e tij për Golden Armor: “Me një zë të tendosur dhe të përllogaritur si kabllot që mbajnë urat, Armenida Qyqja guxon të artikulojë të vërtetat më të thjeshta rreth kompleksiteteve të frikshme të vetmisë, mallit, mungesës, jetesës në kohë lufte, shtypjeje dhe gjenocidi – pa lënë jashtë kompleksitetin më të madh nga të gjithë: dashurinë e një zemre për një tjetër. Mos e keqkuptoni gjuhën e saj të drejtpërdrejtë apo evokimin e gjesteve të thjeshta si mbajtja dorë për dore duke dëgjuar shiun; kjo është gjëja e vërtetë”.
Komuniteti shqiptar në Toronto pati gjithashtu mundësinë të dëgjonte vlerësimet e Prof. Mahdi Ganjavi nga Universiteti i Torontos, jo vetëm për Golden Armor, por edhe për tregime dhe shkrime të tjera të autores, të botuara në revistën Asemana dhe revista të tjera letrare në gjuhën angleze.
Duket se Golden Armor ka nisur tashmë një rrugëtim të bukur që prej botimit të tij në maj të vitit 2025, dhe Albanian News i uron Armenida Qyqes suksese të mëtejshme në këtë udhë krijuese.





