Shqipe Neziri Vela, ndër 10 gratë më të spikatura botërore në sektorin e energjisë
Agjencia prestigjioze ndërkombëtare Reuters ka publikuar listën vjetore “Trailblazing Women 2025”, e cila përfshin gratë që po udhëheqin ndryshime të rëndësishme në sektorët strategjikë përmes inovacionit, ndikimit publik dhe lidershipit të qëndrueshëm.
Në këtë listë elitare është përfshirë edhe shqiptarja Shqipe Neziri Vela, e renditur ndër 10 gratë më të spikatura në nivel global në sektorin e energjisë.
Sipas Reuters, përzgjedhja është bazuar në arritjet profesionale, ndikimin publik, kontributin social dhe aftësitë udhëheqëse, duke vlerësuar gratë që kanë luajtur një rol kyç në hartimin e politikave dhe zbatimin e praktikave të qëndrueshme në industri strategjike.
Shqipe Neziri Vela është vlerësuar veçanërisht për udhëheqjen dhe ndikimin e saj në qeverisjen e burimeve natyrore, promovimin e transparencës, si dhe avancimin e praktikave të qëndrueshme në industrinë e energjisë dhe minierave.
Ky vlerësim përfaqëson një arritje të rëndësishme jo vetëm për karrierën e saj profesionale, por edhe për përfaqësimin e grave shqiptare në arenën ndërkombëtare të vendimmarrjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm.



