Carney i përgjigjet Trumpit pas Davosit: Kanadaja nuk jeton falë SHBA-së
Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, i është kundërpërgjigjur deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili kishte thënë se “Kanadaja jeton falë Shteteve të Bashkuara”. Carney theksoi se Kanadaja lulëzon falë vlerave të saj dhe identitetit kanadez.
Duke folur pas kthimit nga Forumi Ekonomik Botëror në Davos, ku mbajti një fjalim që ngjalli reagime të gjera, Carney tha se Kanadaja mund t’i tregojë botës se e ardhmja nuk ka pse të jetë autokratike. Në fjalimin e tij në Davos, ai kritikoi presionin që fuqitë e mëdha ushtrojnë ndaj vendeve më të vogla, pa e përmendur drejtpërdrejt Trumpin.
Pas komenteve të Trumpit në Davos, ku ai iu drejtua Carney-t duke thënë se Kanadaja “jeton falë SHBA-së” dhe se ai duhet ta mbajë mend këtë në deklaratat e ardhshme, kryeministri kanadez reagoi drejtpërdrejt.
“Kanadaja nuk jeton për shkak të Shteteve të Bashkuara. Kanadaja lulëzon sepse ne jemi kanadezë”, deklaroi Carney. Ai shtoi se Kanadaja dhe SHBA-ja kanë ndërtuar një partneritet të fortë në ekonomi, siguri dhe shkëmbim kulturor, por nënvizoi se Kanadaja mbetet sovrane. “Ne jemi zotërinj në shtëpinë tonë. Ky është vendi ynë dhe e ardhmja jonë, dhe zgjedhja varet nga ne”, tha ai.
Pas kësaj përplasjeje verbale, Trump anuloi ftesën e drejtuar Carney-t për t’u bashkuar me iniciativën e tij të Bordit të Paqes, duke e bërë këtë publike përmes një postimi në rrjetet sociale.
Carney u largua nga Davosi përpara inaugurimit zyrtar të Bordit të Paqes të Trumpit. Ai theksoi se në një kohë të rritjes së populizmit dhe nacionalizmit etnik, Kanadaja mund të shërbejë si shembull pozitiv, duke dëshmuar se diversiteti është një forcë dhe jo një dobësi.
“Ka miliarda njerëz në botë që aspirojnë atë që kemi ndërtuar ne, një shoqëri pluraliste që funksionon”, përfundoi Carney.


