Zëri i Luginës së Preshevës dëgjohet në Kongresin Amerikan Kryetarja e Preshevë…

2 Min Read

Zëri i Luginës së Preshevës dëgjohet në Kongresin Amerikan

Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ka reaguar përmes rrjeteve sociale pas një zhvillimi të rëndësishëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku Komiteti për Punë të Jashtme i Kongresit miratoi rezolutën H.R. 6411, e cila ka të bëjë me të drejtat etnike dhe kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Rezoluta, e iniciuar nga kongresisti Keith Self, Kryetar i Nënkomitetit për Evropë, u miratua me përkrahje dypartiake, duke dërguar një mesazh të qartë politik drejt Beogradit lidhur me diskriminimin sistematik ndaj shqiptarëve në këtë rajon.

“Sot, nga Capitol Hill në Washington, u dëgjua zëri i Luginës së Preshevës – qartë, zyrtarisht dhe fuqishëm,” thekson Sinani, duke e cilësuar këtë si një ditë të rëndësishme për shqiptarët e Luginës dhe një sinjal se padrejtësitë nuk janë të përjetshme.

Ajo nënvizon se ky është rezultat i një beteje të gjatë, të ndërtuar me durim, këmbëngulje dhe besim, falë angazhimit të vazhdueshëm të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Joe dhe Shirley DioGuardi, si dhe komunitetit shqiptar në SHBA, veçanërisht në Texas përmes organizatës “Albanians For America”.

Sipas Sinanit, përmes kësaj rezolute, SHBA kërkon përgjegjësi ligjore dhe politike për shkeljet e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, jo vetëm me deklarata, por me veprime konkrete.

“Zëri ynë u dëgjua. Puna jonë po shihet. Nuk ndalemi. Nuk dorëzohemi,” përfundon ajo, duke falënderuar aleancën me Shtetet e Bashkuara dhe duke uruar bekim për Amerikën dhe popullin shqiptar.

Source

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *