Qindra shqiptarë nga Toronto, Montreali dhe qytete të tjera u mblodhën për të ndjekur së bashku filmin “Luli dhe Goni i Lemës”, në një aktivitet të organizuar me përkushtim nga RH Scholarship – një nismë që ka për mision ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë shqiptare, gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar në diasporë.
Veprimtaria u hap nga Presidentja e RH Scholarship, znj. Tea Haxhillari, e cila theksoi rëndësinë e këtyre momenteve për forcimin e ndjenjës së përkatësisë dhe përbashkësisë në komunitetin shqiptar: “Të tillë aktivitete na bashkojnë – për të njohur më mirë njëri-tjetrin, për të ndarë kujtime, për të forcuar lidhjet tona dhe për të mbajtur gjallë identitetin tonë edhe larg atdheut,” – u shpreh ajo. Një përshëndetje të veçantë për pjesëmarrësit dha edhe z. Sedat Burrniku nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Toronto.
“Para 11 vitesh, themelova organizatën RH Scholarship me një mision të qartë: të promovoj dhe të ruaj artin dhe kulturën shqiptare, duke mbështetur njëkohësisht gjeneratën e re të studentëve shqiptarë-kanadezë. Deri më sot kemi dhënë me krenari 90 bursa, dhe këtë vit do të shpërndajmë edhe 10 të tjera!” – shkruan Presidentja Haxhillari në një postim në Facebook.
Gjatë këtyre viteve, RH Scholarship i ka sjellë publikut shqiptar dhe atij kanadez një sërë filmash të fuqishëm shqiptarë si: Passaporta, Luli & Goni i Lemës, Dy Gisht Mjaltë 2, Pesë Erë Jo, Sofia, Njerëz dhe Fate 2, dhe të tjerë. Gjithashtu, organizata ka zhvilluar koncerte, panaire librash, aktivitete rrjetëzimi dhe ekspozita kulturore, duke kontribuar në mënyrë të vazhdueshme për ruajtjen e kulturës shqiptare në mërgatë.
