Qytetaria duhet të fitojë përballë zhurmës së imponuar
Nga Alma Lamçja
Në kohën kur diskursi publik është kthyer në zhurmë, qytetaria kosovare tregoi kthjelltësi. Kjo zhurmë nuk është rastësore, ajo funksionon si një ndotës akustik i mendimit publik, i cili më nuk informon, por tensionon dhe shpërqendron.
Zgjedhjet u zhvilluan qetë, me vetëdije dhe pa eksese, pavarësisht gjuhës së ashpër dhe provokimeve të vazhdueshme nga studiot televizive dhe aktorët politikë. Qytetari i zakonshëm i dëshmoi “elitës”, se demokracia nuk matet me britma, por me përgjegjësi.
Zhgënjimi erdhi më pas, aty ku nuk duhej: brenda vetë “elitës”. Lajmet për vjedhje votash mes kandidatëve të së njëjtës parti, janë dëshmi e një hipokrizie të thellë.
Ata që për muaj të tërë na folën për parime, i shkelën ato në formën më të ulët. Ata që kërkuan besim publik, e rrënuan atë nga brenda.
Ndërkohë, në kampin tjetër, ata që duhet të ishin në frontin e parë të mbrojtjes së demokracisë, mediat tona, vazhdojnë të prodhojë lodhje emocionale. Më nuk informojnë, por tensionojnë, nuk kërkojnë të ndriçojnë por polarizojnë .Debati është zëvendësuar me përplasje, analiza me spektakël, fjala me dominim.
Hapësirat televizive që duhet të na qetësojnë trurin: emisionet kulturore, sportive, apo ato sociale, janë kthyer në skena konflikti.
Zgjidhja nuk është as mbyllja e syve, as normalizimi i kësaj gjendjeje. Zgjidhja është rikthimi i mendimit kritik dhe etikës publike. Dhe kjo nuk ndodh vetvetiu, ajo kërkon zë qytetar të organizuar.
Zëri qytetar nuk duhet të heshtë, por as të bëhet pjesë e zhurmës. Ai duhet të kërkojë standarde, të kërkojë rregullim ligjor të debateve publike, përgjegjësi editoriale dhe etikë të detyrueshme për këdo që flet në emër të publikut. Presioni qytetar nuk ndërtohet me sharje, por me bojkot të vetëdijshëm: duke mos shpërndarë përmbajtje toksike dhe duke mbështetur debat real. Ndryshimi vjen kur qytetarët nuk e konsumojnë më spektaklin, por e kushtëzojnë hapësirën publike.
Nëse dimë të votojmë me dinjitet, duhet të dimë edhe të kërkojmë me dinjitet, sepse pa kërkesë qytetare, demokracia mbetet vetëm procedurë.


