Profili i Javës: Ramazan Këllezi
Ramazan Këllezi është një nga figurat më të spikatura të artit koreografik dhe të angazhimit komunitar shqiptar në Kanada dhe jo vetëm. I lindur dhe rritur në Tiranë, ai vjen nga një familje autoktone me traditë tregtare dhe kulturore, ku arti dhe edukimi kanë zënë gjithmonë një vend të veçantë.
Formimin e hershëm artistik e nis në shkollën e njohur të muzikës “Kongresi i Përmetit”, ku për katër vite studion violinë. Që në moshë të vogël shfaq prirje të veçantë për vallen popullore, duke ndjekur për pesë vite radhazi kurset pranë Pallatit të Pionierëve në Tiranë. Talent i spikatur, ai interpreton role solistike të vlerësuara nga pedagogë të njohur, përfshirë koreografin Abedin Metuli. Kontributi i tij në këto vite u vlerësua në vitin 2017 me Trofeun e Mirënjohjes, me rastin e 70-vjetorit të Pallatit të Pionierëve.
Studimet e mesme i përfundon me rezultate të shkëlqyera në Liceun Artistik, në degën e Teorisë së Muzikës, ndërsa në vitin 1987 diplomohet në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, në degën Regji–Koreografi, nën drejtimin e ikonës së koreografisë shqiptare, Prof. Dr. Skënder Selimi. Pas diplomimit, emërohet pedagog në Akademinë e Arteve, më pas mësues dhe drejtor i Shkollës Kombëtare të Baletit, detyrë që e ushtron me profesionalizëm deri në vitin 1998.
Gjatë kësaj periudhe, Ramazan Këllezi realizon një sërë krijimesh koreografike të rëndësishme në skenë, film dhe televizion, përfshirë spektakle artistike, produksione televizive dhe bashkëpunime novatore, si ai me Cirkun e Tiranës. Një nga arritjet më të veçanta të kësaj kohe është krijimi dhe drejtimi i “Ansamblit të të Rinjve të Tiranës”, ansambli i parë popullor në historinë e Shkollës së Baletit, me të cilin përfaqëson Shqipërinë në dhjetëra festivale ndërkombëtare në Evropë, duke u vlerësuar me çmime dhe kupa nderi.
Pas një eksperience si Drejtor i Pallatit të Kulturës “Studenti”, në vitin 2000 emigron në Kanada. Angazhimi i tij nuk kufizohet vetëm në art: në vitin 2007 shërben si Konsull pranë Ambasadës së Shqipërisë në Romë, ndërsa nga viti 2011 rikthehet fuqishëm në jetën kulturore dhe komunitare shqiptare në Kanada. Ai themelon grupin e valleve “Shqiponjat e Vogla” dhe bëhet një figurë kyçe e Shoqatës së Komunitetit Shqiptaro-Kanadez në Toronto, ku shërben si zëdhënës, nënkryetar dhe president (2016–2019).
Kontributi i tij në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë shqiptare është vlerësuar në nivelet më të larta institucionale. Në vitin 2019 nderohet me titullin “Ambasador i Kombit”, ndërsa në vitin 2021 merr Medaljen “Merita të Veçanta Civile” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, për rolin e tij në kultivimin e folklorit shqiptar dhe promovimin e Muajit të Trashëgimisë Shqiptare në Parlamentin e Ontarios.
Përtej artit, Ramazan Këllezi është i suksesshëm edhe në fushën e menaxhimit profesional në Kanada, ku në vitin 2022 u vlerësua me çmimin “Property Manager of the Year”. Sot, si koreograf dhe drejtues i Shoqatës Kulturore Shqiptare “Shqiponjat e Vogla”, ai vijon të edukojë breza të rinj valltarësh dhe të mbajë gjallë identitetin kulturor shqiptar në Amerikën Veriore. Nën siglën e kësaj shoqate, prej katër vitesh radhazi organizohet me sukses spektakli tradicional “Sofra Tironce”, një ngjarje kulturore tashmë e konsoliduar që promovon folklorin, muzikën, vallen dhe trashëgiminë qytetare tiranase, duke bashkuar komunitetin shqiptar dhe duke e prezantuar denjësisht kulturën shqiptare në Kanada.
Ramazan Këllezi është i martuar dhe baba i pesë fëmijëve, duke mishëruar harmoninë mes familjes, artit dhe shërbimit ndaj komunitetit.






