Konsulli i Përgjithshëm Dakaj u takua me Kryetaren e Asamblesë Legjislative të Ontarios
Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në Toronto, Kadri Dakaj zhvilloi një takim zyrtar me Donna Skelly, Kryetare e Asamblesë Legjislative të Provincës së Ontarios.
Gjatë takimit, Konsulli i Përgjithshëm Dakaj i dhuroi Kryetares Skelly një dhuratë simbolike – një broshe të punuar me dorë nga një e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Takimi shërbeu si një moment reflektimi mbi nevojën e vazhdueshme për njohjen e plotë të së vërtetës së konfliktit në Kosovë, si dhe për njohjen institucionale dhe shoqërore të të mbijetuarve si viktima të kësaj historie.
Konsulli i Përgjithshëm Dakaj e përgëzoi Kryetaren Skelly për emërimin e saj dhe shprehu mirënjohjen për mundësinë e forcimit të dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet Provincës së Ontarios dhe Kosovës.


