Kanadaja feston Ditën Kombëtare të Flamurit
Kanadaja feston sot, më 15 shkurt, Ditën Kombëtare të Flamurit (National Flag Day), duke shënuar përvjetorin e ngritjes për herë të parë të flamurit me gjethen simbolike të panjës.
Më 15 shkurt 1965, flamuri kombëtar u ngrit zyrtarisht mbi Parliamentin Kanadez në Ottawa, një moment historik që forcoi identitetin dhe unitetin kombëtar të vendit.
Me këtë rast, Guvernatorja e Përgjithshme e Kanadasë, Mary Simon, publikoi një mesazh në rrjetet sociale, duke theksuar rëndësinë simbolike të kësaj dite.
“Ndërsa sot ngremë flamurin kanadez, kujtojmë historitë dhe vlerat që formësojnë këtë vend. Le të na frymëzojë kjo ditë të vazhdojmë të ndërtojmë ura mirëkuptimi dhe të përqafojmë një të ardhme ku shpresa mund të lulëzojë,” u shpreh ajo.
Dita Kombëtare e Flamurit përkujton jo vetëm një simbol shtetëror, por edhe vlerat e diversitetit, respektit dhe bashkëjetesës që karakterizojnë shoqërinë kanadeze. 🍁





