Trump paralajmëron Kanadanë: Marrëveshja me Kinën do të sjellë tarifa 100% nga SHBA
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar ashpër Kanadanë lidhur me një marrëveshje të mundshme tregtare me Kinën, duke kërcënuar me vendosjen e tarifave prej 100% ndaj të gjitha produkteve kanadeze që hyjnë në tregun amerikan.
Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump iu referua për herë të parë kryeministrit të Kanadasë, David Carney, si “Guvernator Carney”, që prej zgjedhjes së tij në këtë post. Ai e akuzoi Kanadanë se mund të shndërrohet në një “port dorëzimi” për mallrat kineze drejt SHBA-së.
“Nëse Guvernatori Carney mendon se do ta bëjë Kanadanë një ‘port dorëzimi’ për Kinën për të dërguar mallra në Shtetet e Bashkuara, ai është thellësisht i gabuar. Kina do ta ‘gëlltisë’ Kanadanë tërësisht, duke shkatërruar bizneset, strukturën sociale dhe mënyrën e jetesës,” shkroi Trump.
Presidenti amerikan theksoi se nëse Kanadaja nënshkruan një marrëveshje me Kinën, SHBA-ja do të reagojë menjëherë me tarifa 100% për të gjitha mallrat dhe produktet kanadeze që hyjnë në territorin amerikan.
Trump shtoi se Uashingtoni nuk do të tolerojë asnjë skemë që, sipas tij, synon të anashkalojë barrierat tregtare ndaj Kinës përmes Kanadasë.


