Duygu Mumci, nga Prishtina në krye të projekteve të Inteligjencës Artificiale në Kanada
Albanian Canadian Society for Social and Economic Progress njofton se Duygu Mumci, e lindur dhe e rritur në Prishtinë, sot mban pozitën e Menaxheres së Inteligjencës Artificiale në kompaninë kanadeze TELUS.
Në këtë rol, ajo udhëheq një ekip inxhinierësh që zhvillojnë zgjidhje të avancuara të inteligjencës artificiale, të cilat po luajnë një rol kyç në transformimin e strategjisë së rrjetit dhe në përmirësimin e përvojës së klientëve.
Rrugëtimi profesional i Mumcit përfshin studimet universitare në Turqi, emigrimin në Kanada dhe ndërtimin e një kariere të suksesshme në industrinë e teknologjisë. Historia e saj përfaqëson një shembull frymëzues të këmbënguljes, përkushtimit dhe vizionit profesional.
Albanian Canadian Society for Social and Economic Progress shpreh kënaqësinë që Duygu Mumci do të jetë pjesë e Albanian Professionals Networking Event, ku ajo do të ndajë përvojën dhe njohuritë e saj me komunitetin profesional shqiptar.
Ngjarja do të mbahet më 14 mars 2026, në ambientet e UBC Robson Square, në qendër të Vancouverit.


