Osmani nënshkroi për Bordin e Paqes, Spiropali: Shqipëria dhe Kosova nuk konkurrojnë, por plotësojnë njëra-tjetrën
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka folur sot në seancën plenare të Kuvendit lidhur me nënshkrimin e Bordit të Paqes, ceremoni që u zhvillua të enjten në Davos.
Gjatë debatit mes mazhorancës dhe opozitës, diskutimi u përqendrua në faktin se Kosova e nënshkroi marrëveshjen duke u përfaqësuar nga presidentja Vjosa Osmani.
Spiropali theksoi se Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete sovrane, me rrugë të ndryshme, por me të njëjtin synim strategjik, duke shtuar se ato nuk konkurrojnë mes vete, por e plotësojnë njëra-tjetrën.
“Sot nuk jam këtu vetëm për të paraqitur një akt ratifikimi, por për një vendim që ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si Shqipëria shihet dhe dëgjohet në botë. Bordi i Paqes nuk është alternativë ndaj mekanizmave ekzistues, por një instrument shtesë për ndërtimin e paqes aty ku ne besojmë dhe angazhohemi”, u shpreh Spiropali.
Ajo theksoi se përfshirja e Shqipërisë në Bordin e Paqes e bën vendin më të besueshëm në sytë e Bashkimit Evropian dhe dëshmon gatishmërinë për të marrë përgjegjësi në arenën ndërkombëtare.
“Edhe Kosova ka pranuar ftesën për t’iu bashkuar kësaj nisme. Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete sovrane, me rrugë të ndryshme, por me të njëjtin qëllim. Nuk konkurrojmë njëra-tjetrën, por plotësojmë njëra-tjetrën”, tha ajo.


