Një mbrëmje frymëzuese me shkrimtarin Stefan Çapaliku në Bibliotekën “Ernest Koliqi” në Prishtinë

3 Min Read

Një mbrëmje frymëzuese me shkrimtarin Stefan Çapaliku në Bibliotekën “Ernest Koliqi” në Prishtinë

Nga Bruna Gosa

Në mbyllje të ciklit të takimeve kulturore “PENA E DRITËS” për këtë sezon pranveror, Biblioteka “Ernest Koliqi” pati kënaqësinë të mirëpresë një nga zërat më origjinalë të letërsisë shqipe bashkëkohore – Stefan Çapalikun.

Në një atmosferë poetike, romanciere të frymëzuar, autori solli para lexuesve dy prej veprave të tij më të fundit: “Camera obscura” – një vëllim poetik që ndriçon errësirat e brendshme, dhe “Saga e Sarajevës” – një roman që prek kujtesën historike, identitetin dhe plagët që koha nuk i shëron plotësisht.

“Letërsia nuk të jep arratisje. Ajo të rikthen te vetja – më thellë se ç’mund të guxoje vetë,” — u shpreh Çapaliku, duke i ftuar të pranishmit të lexojnë jo për t’u larguar nga realiteti, por për ta kuptuar më mirë atë.

Gjatë bisedës, autori ndau reflektime mbi shkrimin si proces jetësor dhe të brendshëm:

“Shkrimi është mënyra më e heshtur për të folur me zë të lartë.”

Takimi u shndërrua në një dialog të gjallë me lexuesit, ku u fol për temat që e përshkojnë krijimtarinë e tij – kujtesa, historia, identiteti dhe njeriu përballë kohës.

Për romanin Saga e Sarajevës, Çapaliku tha:

“Kjo nuk është thjesht një histori për një qytet, por një kujtesë kolektive që kërkon të mos harrohet.”

Dhe për ata që i afrohen poezisë me hezitim, ai ofroi një tjetër reflektim:

“Camera Obscura është një dritare nga brenda njeriut. Aty ku errësira nuk është mungesë drite, por prani e saj.”

Ky takim kulturor ishte i fundit përpara pushimeve verore, duke përmbyllur me sukses një sezon plot ngjarje dhe autorë të rëndësishëm të letrave shqipe.

Në komunikatën përmbyllëse, organizatorët shprehën mirënjohjen për pjesëmarrjen e gjerë dhe njoftuan se “PENA E DRITËS” do të rikthehet në shtator, me takime të reja dhe surpriza të këndshme për lexuesit.

“ Takimi me lexuesin është për një shkrimtar më i rëndësishëm se çdo çmim,” — e përmbylli autori.

“Faleminderit të gjithëve që ishit pjesë e këtyre muajve të bukur! Ju urojmë pushime të mbara dhe të mbushura me lexime të mira. Mirëupafshim në shtator!”- e përmbylli Fatmir Koliqi, themelues dhe përgjegjës i bibliotekës.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *