Feminizmi lufton edhe për të drejtat e burrave

3 Min Read

Luljeta Aliu

Dinamika e përditshmërisë shpesh na bën të harrojmë që hapësirën kohore të jetës sonë e ndajmë me disa gjenerata. Gjeneratat e reja gjithmonë përballen me një diskurs shoqëror të filluar e zhvilluar përgjatë dekadash apo shekujsh, konceptet e të cilit mund të evoluojnë dhe të mos jenë qartë të definueshëm. Prandaj, ndonëse për ne mund të duket si përsëritje, spjegimi në formë përmbledhëse i disa koncepteve është i domosdoshëm për zhvillimin shoqëror.

Një nga konceptet që vazhdimisht duhet të zbërthehet është feminizmi. Ka shumë njerëz që mendojnë se feminizmi është një përpjekje e grave për të fituar epërsinë ndaj burrave. Prandaj edhe shihet me skepticizëm jo vetëm nga burrat, por edhe nga shumë gra. Por pa të drejtë, sepse feminizmi shkon larg përtej betejës për të drejtat e grave.

Fjala “feminizëm” kryesisht keqinterpretohet sikur të nënkuptonte një luftë të grave kundër burrave. Ndërsa feminizmi kritikon pikërisht një mendësi të tillë përjashtuese të krijuar nga sistemet e traditave shoqërore përçarëse.

Sikurse edhe shumë koncepte tjera, natyrisht edhe feminizmi ndodhë të keqkuptohet. Ngatërresat besoj bëhen për shkak të emrit “feminizëm”. Fakt, që si lëvizje dhe teori pikënisjen e ka pasur tek të drejtat e grave, gjegjësisht kërkesën për të drejtën e votës. Megjithatë, feminizmi nuk lufton vetëm për të drejtat e grave, por është teori sociologjike dhe kornizë filozofike që sfidon çdo formë sistemi shtypës.

Rrjedhimisht, feminizmi nuk është lëvizje për gratë, por angazhim për drejtësi dhe dinjitet për të gjithë njerëzit, pa dallim gjinie, race, klase apo identiteti.

Feminizmi lufton edhe për të drejtat e burrave, duke e adresuar represionin që u bëhet burrave: burrat që u është ndaluar të qajnë, të kenë frikë, apo të tregojnë ndjeshmëri. Burrat që ndihen të pavlefshëm për shkak të një bote që ua mat vlerën vetëm me forcën fizike, agresivitetin, pushtetin, suksesin.

Feminizmi është thirrje për transformim shoqëror përmes aktivizmit qytetar të vetëdijësuar, një aktivizmi që nuk pranon hierarki e koncepte të trashëguara pa i analizuar mirë se a janë të drejta apo jo.

Në thelb, feminizmi kërkon empati, tolerancë dhe respekt për natyrën e njeriut dhe të drejtat e tij. Kërkon të krijojmë hapësira ku gratë mund të arrijnë në pozita udhëheqëse pa pasur nevojë të sillen më agresive për tu përshtatur me kolegët e tyre burra. Feminizmi angazhohet që burrat të kenë të drejtë të jenë të butë, empatikë dhe emocionalë pa pasur frikë se do të duken më pak “burrërorë”.

Feminizmi është një lëvizje për të gjithë ata njerëz që ndihen të përçmuar, përjashtuar dhe stigmatizuar nga sistemi shoqëror. Feminizmi nuk është vetëm për gratë. Feminizmi është për të gjithë!

19.06.2025

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *