DJEMTË QË U RRITËN ME SHOQATËN SJELLIN KUPËN FITUESE SHQIPTARËVE TË HAMILTONIT
Pas dy organizimeve të suksesshme në Hamilton dhe Kitchener, këtë vit qyteti i Londonit mirëpriti Turneun Tradicional me rastin e 26-vjetorit të Çlirimit të Kosovës – një ngjarje madhore për komunitetin shqiptar në Kanada.
Atmosfera festive, loja e bukur dhe fryma e solidaritetit i dhanë jetë kësaj dite të paharrueshme. Pas një gare të fortë e emocionuese, kupa e fituesit iu dorëzua ekipit të Shoqatës Shqiptare të Hamiltonit, të cilët u dalluan për vendosmërinë, bashkëpunimin dhe shpirtin e garës.
Ajo që e bën këtë fitore edhe më të veçantë për ne është fakti se shumica e lojtarëve të këtij ekipi janë rritur bashkë me shoqatën që nga themelimi më 2010 – një dëshmi e gjallë e unitetit, përkushtimit dhe edukimit të brezit të ri me vlera kombëtare.
Një falënderim i veçantë shkon për prindërit që kanë qenë pjesë e pandarë e këtij rrugëtimi – duke rritur fëmijët e tyre bashkë me ne, përmes pjesëmarrjes aktive në aktivitetet e shoqatës, në Shkollën Shqipe, në Grupin e Recituesve, dhe natyrisht, në fushat sportive ku prej 15 vitesh shkëlqejmë së bashku.
Kjo fitore nuk është vetëm një trofe sportiv – është një simbol i fuqisë së bashkësisë sonë, krenarisë për rrënjët tona dhe dashurisë për atdheun.🇦🇱🇽🇰






